29/11/2015

28 NËNTORI, DITA E ATYRE QË NUK DORËZOHEN




Sanije A. Bislimi


Historia gjithëmon të shtyn të rihapesh fletët edhe në momente të shkurtra, por që zgjaten dhe nuk kanë mbarim !

Sot së bashku me fëmijët rihapem librin e historisë dhe rishikuam faqet e saja ku tregohej për shpalosjen e vullnetit politik të shqiptarëve që të jetojn në një shtet të vetem shqiptar. Ky vullnet politik ishte shpalosur si kurorzim i përpjekjeve, sakrificës së shqiptarëve në të kaluarën, por edhe si një projekt që kërkon realizim me përpjekje dhe sakrifica të shqiptarëve të ardhshëm.

Sot, ne përkujtojm përpjekjet dhe sakrifica e atyre që n'a sollën fitore. Në të njejtën kohë sot ne nderojm ata të cilët asnjëherë nuk u dorëzuan në synimet tona të përbashkëta për t'a realizuar 28 Nëntorin në të gjithë idealin dhe vizionin e tij !

Kjo Ditë e madhe shqiptare është dita e qëndresës, është Dita e sakfricës, është Dita e të gjithë atyre që nuk janë dorëzuar përball stuhive të historisë, është Dita e atyre që asnjëherë nuk humbën objektivin e tyre.

Në faqet e historisë sonë të lavdishëme pamë se 28 Nentori i parë (1443) ishte mundësuar nga kthimi i Skenderbeut dhe vullneti i tij për të luftuar përkrah shqiptarëve dhe për t'i dhënë fitore Shqipërisë. E kuptuam qysh me Skendërbeun se liria e një populli përmban në vetëvete vullnetin e ekzistencës së atij populli. Vullnetin për të qenë, vullnetin për të ekzistuar, për të jetuar, për të realizuar, për t'u identifikuar. E kuptuam qysh me Skenderbeun se ekzistenca e një kombi qëndron tek esenca e tij për qëndruar, për të luftuar, për të sakrifikuar dhe asnjëherë për t'u dorëzuar përball valëve të rrëmbyeshëme të historisë.

Ky vullnet shekullor për të qenë, ky vullnet shekullor për të bërë Shqipërinë u kurorzua me fitoret e para më 28 nëntor 1912, ku me lajmin e shpalljes se pavarësisë, Ismail Qemaili i njoftoi fuqitë e mëdha për vullnetin paalternativë të shqiptarëve për një Shqipëri të lirë dhe të pavarur.

Mësuam se 28 Nëntori i Dytë i Ismail Qemailit dhe Isë Boletinit ishte jehona e pashkëputshëme e 28 Nëntorit të parë të Skenderbeut. Një jehonë që kaloi shekujt për të thënë : kurrë mos u dorëzo sepse fitorja është vetem e atyre që qëndrojn dhe luftojn !

Jehona që erdhi prej 28 Nëntorit 1443 u shumëzua dhe u bë e çelikët kur ajo takoi 28 Nëntorin 1912. Njësimi i tyre nuk kishte se si të mos jehonte drejtë të ardhmës dhe të mos ndjehej nga shpirtrat e atyre që lindin për të mos u dorëzuar kurrë para të vërtetës dhe kurrë para vdekjës. Që lindin të lirë dhe që kuptojn vetem lirinë. Që lindin vetem për të jetuar, vetem për të ekzistuar, vetem për të qëndruar. Dhe, askush më mirë se Adem Jashari nuk e ka dëshmuar se dhurata e jetës është një dhuratë që duhet çmuar me lirinë. Njëra pa tjetrën nuk mund të ketë kuptim. Jehona e 28 Nëntori 1443, e dubluar me atë të 28 Nëntorit 1912, jehoj edhe njëherë duke lindur më 28 Nëntor 1955 dhe duke krijuar një stuhi të re lirie në historinë shqiptare në vitët 90.

Një stuhi lirie e cila nuk e kishte zgjedhur rastësisht 28 Nëntorin 1997 për t'u shfaqur nën emblemën e UCK-së me betimin e në gojë të Skendërbeut e Ismail Qemalit se Shqipëria do të bëhet. Me betimin në gojë të Skenderbeut e Ismail Qemalit se shqiptarët nuk dorëzohen asnjëherë përball padrejtësive, përball pushtimit, përball robërisë. Me betimin në gojë të Skenderbeut dhe Ismail Qemalit se shqiptarët e duan jetën vetem nëse ajo është e qiftëzuar me lirinë dhe dinjitetin.

Historia n'a mësoj në të gjitha faqet e saja se jeta është e dhënë nga natyra vetë, por se liria dhe dinjiteti janë të merituara vetem nga ata individë dhe kombe të cilët gjithënjë luftojn për të. Liria dhe dinjiteti janë vetem për ata të cilët nuk dorëzohen, por qëndrojn në vazhdimësi. Duke qenë se e kuptuam 28 Nëntori simbolizon në tërësinë e tij rezistencën vetë, ne themi sot se ajo është Dita e atyre që nuk u dorëzuan kurrë. Është Dita e atyre që qëndrojn !

Aucun commentaire:

Enregistrer un commentaire